Moska vijon të ashtuquajturin operacionin ushtarak kundër terrorizmit për të frenuar përparimin e trupave ukrainase në tre rajonet ruse në kufirin me Ukrainën. Sipas ligjit rus, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme forcat ushtrake kanë marrë kompetenca më të gjera në mënyrë që të kontrollojnë dhe sekuestrojnë automjete, të mbikqyrin telefonatat, të ndalojnë hyrjen e njerëzve në këto zona duke vendosur pika kontrolli dhe forcuar sigurinë në pikat kryesore të infrastrukturës.
Rusia ka dislokuar rreth Belgorodit, Brianskut dhe Kurskut trupa dhe pajisje shtesë, duke përfshirë tanke, raketahedhës dhe njësi aviacioni për të ndalur përparimin e trupave ukrainase. Moska deklaroi se kishte goditur me një raketë termobarike trupat ukrainase në periferinë jugore të Sudzha, në rajonin Kursk.
Sipas agjensisë të lajmeve Reuters tanket ukrainase u panë këtë të shtunë duke lëvizur në rajonin Sumy pranë kufirit me Rusinë ndërsa betejat intensive vijojnë në territorin rus.
Rusia sipas agjensisë së njohur britanike deri më tani nuk ka arritur të shtyjë forcat ukrainase përtej kufirit.
Kievi ka marrë përgjegjësinë për sulmin në një bazë ajrore ushtarake ruse në rajonin Lipetsk, 300 km larg kufirit. Luftimet në rajonin rus Kursk kërcënojnë gazsjellësin që transporton gjysmën e gazit natyror rus të eksportuar ende në Evropë.
Rusia ka evakuuar mbi 76 mijë të nga zonat kufitare në Kursk ku vijojnë luftimet mes trupave të Moskës dhe forcave ukrainase.
Ndërkaq Bjellorusia akuzoi Kievin për “përpjekje për të zgjeruar zonën e konfliktit aktual pas pretendimeve dronët ukrainas shkelën hapësirën e saj ajrore. Presidenti Lukashenko ka paralajmëruar se në këtë mënyrë lufta rrezikon që të përhapet edhe në vendet e BE. Ai urdhëroi shtimin e trupave ushtarake dhe zhvendosjen e sistemeve raketore Polonez dhe Iskander, drejt qytezave Gomel dhe Mozyr, në kufirin me Ukrainën. Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë një paketë të re ndihme ushtarake prej 125 milionë dollarësh në Ukrainë. Paketa e re do të përmbajë raketa Stinger dhe municion artilerie 155 mm dhe 105 mm.
Klan News