Sali Berisha: “Unë gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime…”.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se nuk bën dallime mes subjekteve politike në Kosovë.
Për të pozita dhe opozita në shtetin më të ri në botë janë njësoj. Ai thotë se interesi kombëtar e jo mbështetja për ndonjë subjekt politik është më i rëndësishëm në punën e tij, bile në këtë aspekt përmend projekte madhore që ka ndërmend t’i realizojë me homologun e tij kosovar.
Sali Berisha: “Edhe njerëz që janë afër meje rrinë dhe shohin njëri-tjetrin se çfarë ka ndërmend ky. Po, kam ndërmend që shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që të ndodhen në trojet e tyre të ndjehen njëlloj dhe kam bindjen se zoti Thaçi ka të njëjtin përcaktim, sepse ky është një detyrim madhor”.
Berisha thotë se shqiptarët siç janë një, ashtu edhe duhet te ndjehen dhe barrierat kufitare që ndajnë ata duhet të hiqen sa më parë.
Sali Berisha: “Për Morinën, Qafën e Morinës dhe ku ka ndonjë tjetër, Qafa e Prushit dhe mbetet tani e Dragashi. Le të më thotë mua kush pse duhet të jenë ato?”
Kryeministri i Shqipërisë thotë se pavarësia e Kosovës është njëra nga veprat më të rëndësishme për shqiptarët dhe se për të meritorë janë të gjitha subjektet politike pa përjashtim.
Sali Berisha: “Të gjithë sot faktorët politikë të Kosovës kanë kontributin e tyre, secilin proporcion në këtë dhe kjo më bën mua, më detyron mua dhe detyron çdo shqiptar të dëshmojë respektin maksimal ndaj tyre”.
Përndryshe i pari i qeverisë shqiptare i quan primitivë zërat që tentuan t’i japin kahe të ndryshme takimeve që pati me krerët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike.
Sali Berisha: “Partia Demokratike ka patur marrëdhënie tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës sepse ato ishin dy forcat kryesore, por kjo nuk përbën asnjë lloj pengese për të ruajtur, zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me Partinë Demokratike të Kosovës, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”.
Ai thotë se rotacionet politike në Kosovë e në Shqipëri nuk duhet të dëmtojnë interesat kombëtare të shqiptarëve./tvklan.al