Pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare Presidentja e Gjeorgjisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar një hetim të plotë.
Salome Zurabishvili, ka thënë se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 26 Tetorit.
“Ne nuk ishim thjesht dëshmitarë, por edhe viktima të asaj që mund të përshkruhet vetëm si një operacion special rus një formë e re e luftës hibride e zhvilluar kundër popullit tonë dhe vendit tonë. Unë them qartë se nuk i njoh këto zgjedhje. Njohja e tyre do të ishte e barabartë me legjitimimin e marrjes së Gjeorgjisë nga Rusia.”
Zurabishvili nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për të mbështetur pretendimet e saj, por bëri thirrje për protesta në të gjithë vendin. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se liderët politikë të Gjeorgjisë duhet të respektojnë sundimin e ligjit, të shfuqizojnë legjislacionin që minon liritë themelore dhe të trajtojnë së bashku mangësitë në procesin zgjedhor. Kremlini në një deklaratë u shpreh se partitë e jashtme po përpiqen të destabilizojnë Gjeorgjinë, ndërsa mohoi çdo ndërhyrje në zgjedhje.
Rezultatet, me pothuajse të gjitha zonat e numëruara, ishin një goditje për gjeorgjianët properëndimorë. Partia “Endrra Gjeorgjiane” do të marrë 89 vende në Parlament, një më pak se sa siguroi në vitin 2020, me katër parti opozitare properëndimore që marrin 61 vende në total. Një seri shkeljesh u raportuan nga tre misione të veçanta monitoruese.
Grupet thanë se shkeljet e supozuara, përfshinin ryshfetin, frikësimin e votuesve dhe dhunën pranë qendrave të votimit, mund të kishin ndikuar në rezultatin, por nuk e quajtën rezultatin mashtrues.
Klan News