Platforma e mirënjohur globale për mbështetjen e Startup-ve, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Plug and Play” ka zgjedhur Tiranën si qendrën e saj të 51-të në botë, për të mbledhur talentet e Ballkanit. Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast, Kryeministri Edi Rama vuri theksin në transformimin e Shqipërisë në këtë fushë, teksa tha se më parë ishte pas të gjitha vendeve.

“Sot ne kemi pozicionin më të përparuar në qeverisjen dixhitale në të gjithë rajonin dhe jemi në pjesën e sipërme të klasifikimit edhe në Europë dhe kjo, jo e thënë nga ne, por e nxjerrë në të gjitha klasifikimet sepse ofrojmë 95% të shërbimeve publike online dhe praktikisht kemi kryer, falë sistemit të ri që kemi ndërtuar mbi 45 milionë shërbime në total, që janë mbi 45 milionë kontakte personash me persona, janë mbi 45 milionë qëndrime në radhë, janë mbi 45 milion rrugë për të shkuar deri tek zyra atje ku për të marrë shërbimin janë mbi 45 milionë shanse të humbura për çdo formë ryshfeti dhe bakshishi. E kemi nisur nga bishti me një numër qesharak dhe disfunksional shërbimesh dhe nëse sot, ne kemi në platformën e shërbimeve publike mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, e kemi nisur me më pak se 50 mijë përdorues. Edhe ata, që thjesht dhe vetëm ishin regjistruar, po nuk është se merrnin shërbime”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë foli edhe për projektet që do të pasojnë.

“Në pak javë akoma, ne çelim dyert e një parku teknologjik që do të mirëpresë të gjithë startup-et apo kompanitë që funksionojnë në botën dixhitale me legjislacionin më favorizues në të gjithë këtë pjesë të Europës. Dhe që tani kanë filluar shumë interesime nga kompanitë, qoftë nga kontinenti ynë, qoftë edhe deri nga Shtetet e Bashkuara, për t’u vendosur në atë park, i cili është midis Tiranës dhe Durrësit dhe quhet “Durana” Tech Park. Po ashtu, po përgatisim dhe bashkë me ADF-në do i japim jetë dhe “Vlora Tech Space” në qendrën që po përfundon së ndërtuari në Vlorë”, tha Rama.

Nuk kurseu ironitë për akuzat e opozitës lidhur me bashkëpunimin e qeverisë me ADF.

“Për ata që nuk e dinë pse ADF-ja ka gjithë të akses, është se jemi midis nesh këtu, që të jemi transparent, është sepse qeveria dhe ADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit”. Kështu që, nëse do të shikoni në internet Parkun arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, historinë, mos u nisni atje, se “atje nuk ka gjë”. “Gjithçka është marrë edhe është çuar diku” dhe falë këtij fakti “kemi përfituar edhe shumë para që nuk dimë ku t’i çojmë, edhe i hedhim kot për këto lodrat “Plug and Play” dhe ça janë këto të tjerat. Po këtë mbaheni për vete, ju lutem se na kanë vënë mbrapa një kanarinë që na këndon sa herë na sheh”, deklaroi Kryeministri.

Platforma “Plug and Play”, e cila do të jetë e vendosur te Piramida do t’u ofrojë sipërmarrësve të rinj shqiptarë një mundësi unike për startup-et e tyre që të rriten, të tërheqin investime kapitale, të pilotojnë teknologjinë dhe të forcojnë praninë në tregjet lokale dhe globale.

Klan News