Prej 30 vitesh, pajisja me certifikatën e pronësisë mbetet një shqetësim edhe për banorët e Malësisë së Shkodrës. Gjithsesi kjo problematikë po merr zgjidhje. Në Theth procesi ka nisur dhe 200 përfitueseve të parë ua ka dorëzuar tapitë kryeministri Rama.
Kryeministri premtoi zgjidhje edhe për shtëpitë që janë në proces legalizimi që lidhen dhe me ndërtimet e bëra në mungesë të legjislacionit. Një premtim tjetër është ai për faljen e gjobave për ata që në Theth kanë ndërtuar pa leje, por për shkak se ligji mungonte.
Kreu i qeverisë u zotua për lehtësira fiskale për të gjithë ata që do të investojnë në bujtina, ndaj u kërkon të rinjve të larguar të rikthehen për të shfrytëzuar mundësitë që të ofron kjo zonë.
Projektet për Thethin si një destinacion europian turistik, krahas përfitimit të titujve të pronësisë për shtëpi e bujtina, si dhe të një sërë masave të përfshira në paketën e maleve, e cila po përgatitet dhe është drejt përfundimit, – janë pjesë e objektivit të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone të veriut.
Projekti për Thethin e së nesërmes, do ta lehtësojë vendimin e shumë emigrantëve të këtyre zonave, që të kthehen dhe me kursimet e tyre të bëjnë më shumë ekonomi se sa në emigracion.
Klan News