“Pusho shqip”, nisma e re në kohën e pandemisë
“Pusho shqip” është slogani turistik i këtij viti që ka bërë bashkë Shqipërinë dhe Kosovën. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi dhe homologu i tij nga Kosova, Vesel Krasniqi, kanë çelur së bashku në Shëngjin sezonin e ri.
Ata ju kanë bërë thirrje qytetarëve të dy vendeve që këtë vit pushimet verore t’i kalojnë në Shqipëri e ato dimërore në Kosovë.
“Të ndajmë dhe këtë pasuri të madhe kombëtare që kemi e kur më shumë se sa sot në këtë ditë, në të cilën e gjithë bota po vuan në industrinë e turizmit ne na duhet të bëjmë një thirrje të hapur, një thirrje zemre për menaxhim të suksesshëm të këtij sezoni të vështirë”, tha Klosi.
“Unë i ftoj nga këtu të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që vërtet pushimet e tyre t’i kryejnë në plazhet, në vendet turistike të Shqipërisë”, tha Krasniqi.
Ministri Klosi sigurosi se pavarësisht situatës së vështirë të krijuar si pasojë e pandemisë së koronavirusit, operatorët turistikë dhe pushteti vendas i ka marrë të gjitha masat për të patur pushime të qeta dhe pa probleme. Po ashtu, u inagurua edhe rruga e re që të çon tek Laguna dhe plazhi i Vainit, e cila do ta bëjë akoma më të aksesueshëm këtë destinacion të njohur turistik në Lezhë.
Tv Klan