Shqipëria renditet e para në Europë për rritjen e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me periudhën e para pandemisë dhe e dyta në botë pas Katarit. Kjo renditje u publikua nga Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara në Barometrin e Turizmit për periudhën Janar-Korrik 2024, lajm të cilin e ka ndarë edhe kryeministri Edi Rama.

Një tjetër risi në barometrin e turizmit është se për herë të parë njihet rritja e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar, ku vihet re se për periudhën Janar-Korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje prej +128% krahasuar me periudhën e para pandemisë.

Organizata më e madhe botërore e turizmit, certifikon në këtë mënyrë arritjet e industrisë së turizmit në Shqipëri vitet e fundit, pasi edhe për 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare të vizitorëve në proporcion me popullsinë.

Sipas shifrave zyrtare në Shqipëri janë regjistruar 9,7 milionë vizitorë të huaj nga Janari në Shtator të 2024, me një diversitet të larmishëm tregjesh turistike në rritje, duke evidentuar një tregues të qëndrueshëm te ketij sektori.

Klan News