Kanë qenë protagonist me gola dhe asiste
Gola, asiste, performanca të mira dhe dhimbje koke. Ky ishte bilanci i lojtarëve të kombëtares shqiptare në shënimet e kësaj fundjave për trajnerin Sylvinho. Rrugën e rrjetës e gjetën lojtarët e sulmit, teksa me dopietë shkëlqyen Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi, ndërsa golin e gjeti edhe Rey Manaj. Asiste dhuruan Berat Gjimshiti dhe Armando Broja, duke dhënë një kontribut të çmuar për skuadrat respektive.
Në Serie A ku janë edhe lojtarët më të shumtë kuqezi, derbi mes Sassuolo dhe Frosinone u fitua nga dyshja, Bajrami-Kumbulla. Mesfushori qëndroi në fushë për 90 minuta duke qënë ndër më të mirët, teksa mbrojtësi pak nga pak kap formën fizike duke luajtur 7 minuta.
Protagonist pozitiv në krahun tjetër u bë Marvin Çuni. Vetëm pas 7 minutash lojë sulmuesi fitoi penallti, por që u shpërdorua nga shokët e skuadrës për të shmangur humbjen. Frikë për Ardian Ismajlin, titullarë me Empolin ndaj Milanit, por që në fushë qëndroi për vetëm 42 minuta.
Mbrojtësi shfaqi probleme muskulare duke u zëvendësuar. Ndërkaq, për Berishën dhe Shpendin nuk u rezervuan asnjë minutë, për ta ndjekur sfidën nga stoli. Më shumë se 30 minuta edhe për mesfushorin Kristjan Asllani në fitoren e Interit ndaj Bolonjës, ndërsa për 80 minuta në fushë qëndroi Ylber Ramadani në humbjen e Leçe përballë Veronës. Mesfushori ishte ndër më të dobëtit në fushën e lojës.
Në Spanjë, Keidi Bare ishte më i miri në barazimin e Espanjol në një takim që luajti 85 minuta. Titullarë për 90 minuta Ivan Balliu në humbjen që Rayo Vallecano pësoi ndaj Alavesh. Në Bundesligën gjermane, Klaus Gjasula luajti për 7 minuta me Darmstadt. Vetëm 34 minuta për Mario Mitaj, në barazimin 2-2 që Lokomotiva e Moskës regjistroi ndaj Sochi. Mbrojtësi 20-vjeçar u hodh nga stoli duke bërë një paraqitje mbi mesataren.
Klan News