Katër persona janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi goditën për shkak të detyrës efektivët e uniformave blu. Po ashtu, ata dëmtuan mjetin e policisë.
Si ndodhi ngjarja?
Policia thotë se u vunë në ndjekje të një makine pasi vijoi të lëvizte edhe pse semafori kishte ndezur dritën e ndalimit të qarkullimit. Kur shoferi pa policinë që e ndiqte, e parkoi mjetin dhe vetë vijoi lëvizjen në këmbë. Por ai është ndaluar nga shërbimet e policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme administrative për shkeljen e konstatuar.
Gjatë komunikimit rezultoi se shoferi i makinës ishte me 3 persona të tjerë të cilët kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës efektivët e Rrugores dhe Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit nr. 6 për të penguar shoqërimin e tyre në komisariat.
Në vijim të verifikimeve rezultoi se shoferi ishte në gjendje të dehur.
“Gjatë shoqërimit në Komisariat këta shtetas kanë dëmtuar mjetin e policisë si dhe kanë dëmtuar derën e ambienteve të shoqërimit. Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.6, arrestuan në flagrancë shtetasit: A. Sh, 37 vjeç, A. Xh, 32 vjeç, B. Xh, 30 vjeç, të tre banues në Kukës, dhe B. Xh, 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik“, “Kanosja për shkak të detyrës“, “Goditje për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës“ e kryer në bashkëpunim, dhe “ Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt””, njoftoi policia./tvklan.al