Kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një lidhje direkte me drejtuesit e qarqeve. Gjatë fjalës së tij, ish-Kryeministri Sali Berisha ka thënë se duhet të përgatiten për mosbindje civile të zgjatura teksa ka shtuar se sipas tij, PD është shpresa e vetme.
Një ndër çështjet kryesore për Berishën është ajo e votës së shqiptarëve jashtë vendit, për të cilën është shprehur se PS do të përballet me revoltën e brendshme dhe të jashtme të qytetarëve shqiptarë. Kryedemokrati ka thënë me bindje se një pjesë e mirë e socialistëve do të votojnë për Partinë Demokratike.
Më tej, Berisha ju ka kërkuar drejtuesve të qarqeve që të kenë primare takimet me qytetarët, për të cilat ka thënë se duhet të regjistrohen dhe të ekspozohen në rrjetet sociale.
Sali Berisha: Çështja e votës së shqiptarëve jashtë vendit. Jemi të gatshëm për të bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa të mundshme dhe të pamanipulueshme. PS, e përballur me revoltën e brendshme dhe të jashtme të shqiptarëve do të bëjë çdo gjë për ta ndërlikuar këtë proces. Një pjesë e mirë e socialistëve do të votojnë për PD-në. Ta marrim në mënyrën më serioze çështjen e mobilizimit të çdo potenciali të emigrantëve tanë.
Do të jenë ata Leva e Arkimedit në një sukses të ri si ai i 92-shit. Ne jemi në betejë, kjo betejë ka pasur momentet e veta, jo vetëm që s’do të ketë të ndalur, por të synojë kulme dhe format më të zgjatura. Të jeni të hapur në debat me mbështetësit tanë. Përgatitemi për mosbindje civile të zgjatura, për sakrifica, ne jemi shpresa e fundit dhe ju si udhëheqës të qarqeve të PD-së keni detyrë më kryesore këtë proces.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se rikthimi i Donald Trump me votën e lirë në Shtëpinë e Bardhë është më i rëndësishmi në të gjithë kohët.
Sali Berisha: Kërkova këtë mbledhje me ju në një moment shumë të veçantë. Në një moment kur në arenën ndërkombëtare kanë ndodhur ndryshime të një rëndësie të jashtëzakonshme. Rikthimi i Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë përbën rikthimin më të madh, më të rëndësishëm me votën e lirë në të gjitha kohërat. Natyrisht kjo është për qytetarët e SHBA, por edhe për aq sa ky vend i madh ndikon në vendet e lira në botë.
E vërteta është se për ne shqiptarët, përveç kombeve që përjetojnë lufton, agresionin rus siç është Ukraina, kjo fitore ka një rëndësi më të jashtëzakonshme se kudo tjetër, pasi Shqipëria u shndërrua si asnjë vend tjetër në eksperimentin tragjik të doktrinës së Xhorxh Sorosit. Në Shqipëri, njëlloj edhe ndonjëherë më fort, apo pas SHBA, drejtësia në ndërhyrjen direkt të kësaj monstre të njerëzimit, u shndërrua në një armë politike të ekzekutivit.
/tvklan.al