Sokol Cikalleshi do të qëndrojë në Turqi të paktën edhe për një sezon. Sulmuesi shqiptar është bindur për të firmosur deri në vitin 2025, duke zgjatur në këtë mënyrë marrëveshjen që pritej të skadonte në fund të këtij sezoni.

Një marrëveshje që konfirmon gatishmërinë e 33-vjeçarit për të qenë pjesë e rëndësishme e Konjaspor, teksa tregon se tashmë problemet me pagat janë hedhur pas krahëve. Në fillim të këtij viti, Cikalleshi u la jashtë ekipit për shkak se nuk mori pagesën mujore, por duket se tashmë gjërat kanë shkuar në normalitet.

Sulmuesi vendos kështu të qëndrojë në Turqi, për ta zhvendosur vëmendjen tek Kombëtarja shqiptare, pjesë e së cilës synon të jetë në kampionatin Europian të kësaj vere. Cikalleshi është pjesë e Konjspor që prej vitit 2020, teksa për një sezon u huazua në Arabinë Saudite në radhët e Al Khaleej.

Këtë sezon, 33-vjeçari ka qenë tepër vendimtar për skuadrën, duke shënuar 11 herë në 27 ndeshje të kampionatit, ndërsa në total ka shënuar 29 herë me ekipin turk.

Klan News