Mbrëmjen e sotme do të mësohen fituesit e 9 çmimeve kryesore në futbollin shqiptar për vitin 2024. Në një ceremoni madhështore që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, emocionet e së cilës do të mund t’i përjetoni live në Televizionin Kombëtar Klan News dhe Tv Klan, protagonistët e futbollit do shpërblehen me trofe per sezonin që lamë pas.
Gara më e fortë cilësohet ajo për ‘Topin e Artë 2024”, rivalitet që zhvillohet mes Bekim Balaj, Arinaldo Rrapaj, Albano Aleksi dhe Ermir Rashica.
Ish-mesfushori i Partizanit, tashmë pjesë e Superligës ukrainase shihet edhe si favorit për të triumfuar, teksa kandidat i fortë cilësohet edhe Balaj.
Te femrat, favorite për trofeun e më të mirës në futbollin tonë gjendet Ezmiralda Franja.
Për pankinën e vitit rivaliteti është i fortë. Emra si Edlir Tetova dhe Ilir Daja shihen më pranë kurorëzimit me këtë trofe, me teknikun e Egnatias më favor për shkak të tripletës së titujve.
Trofeu “Këpuca e Artë 2024” për djem e vajza do të ndahet për golashënuesit më të mirë në secilën kategori, ndërsa “Formacioni i Vitit” është përzgjedhur nga gazetarët sportivë përmes një procesi të mbyllur votimi.
Ky spektakël do të transmetohet live në TV Klan duke nisur nga ora 20:00, teksa që prej orës 19:30 të gjithë shikuesit do të ndjekin live në Klan News hyrjen e personaliteteve të futbollit dhe jo vetëm teksa kalojnë në tapetin e kuq.
Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2024” do të prezantohet nga moderatori dhe kantautori shumë i njohur dhe i dashur për shqiptarët, Ardit Gjebrea, si edhe nga modelja e njohur shqiptare, Almeda Abazi.
Klan News