Mbajti në burg një të dënuar me probleme mendore

Gjykata e Strasburgut ka dënuar shtetin shqiptar me një gjobë prej 17.500 Euro për rastin e Arben Strazimirit, i arrestuar në vitin 2008 për tentativë vrasje me paramendim.

Në vendim thuhet se Strazimiri ishte liruar nga përgjegjësia penale për shkak të problemeve mendore, por mbahej në burg dhe jo në një institucion të kujdesit mjekësor.

Vendimi i 7 gjyqtarëve e cilëson një dështim të gjatë nga autoritetet shqiptare mungesën e një institucioni të posaçëm mjekësor për të sëmurët mendorë që janë privuar nga liria dhe kërkojnë një trajtim të detyrueshëm të urdhëruar nga gjykata. Kjo, sipas saj, është një praktikë e përsëritur që bie ndesh me ligjin e brendshëm.

Këta persona duke qenë se konsiderohen një rrezik për veten dhe për të tjerët mbahen në spitalin e burgjeve në kushte jo të përshtatshme dhe denigruese, duke shkelur nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  

Në vendim thuhet  se shumë pacientë psikikë në Shqipëri janë në gjendjen e “braktisjes terapeutike”, duke mos pasur një trajtim individual për secilin të paraburgosur.

Ndër të tjera, gjykata konstatoi se legjislacioni shqiptar nuk parashikonte të drejtën e kompensimit për ndalimin e paligjshëm të individëve në situatën specifike të Strazimirit.

Tv Klan