Futbollistët: Nxorrëm mësime përpara Europianit

Humbja 3 – 0 ndaj Kilit ishte me diferencën më të thellë prej Nëntorit të 2021 dhe vinte pas 8 takimesh me rezultate pozitive.

Kombëtarja u mund duke mos treguar lojën e kualifikueseve të Europianit në miqësoren së premtes në Parma dhe për më tepër me 2 gola të pësuar në minutat e fundit, diçka që nuk prit mirë nga trajneri Sylvinho.

“Goli i parë i tyre ishte i parregullt edhe pse e pranoj që ata luajtën më mirë se ne. U mërzita shumë me golin e dytë dhe të tretë. E dinë futbollistët që këto nuk shikohen si miqësore. 3 gola nuk mund t’i pësojmë, duhet të përmirësohemi shumë shpejt. Na duhet ritëm dhe intensitet për të shkuar në Europian në mënyrën e duhur”.

Edhe vetë lojtarët e quajnë të tepërt humbjen me 3 gola, por duke shtuar se duhet të punojnë që të jenë gati për finalet e Euro 2024.

“3 gola janë shumë, por ne duhet të punojmë që mos të pësojmë 3 gola. Të nxjerrim mësime për të ardhmen”, tha Ramadani.

“Realiteti është ky në Europian do të kemi ekipe si Kili dhe më të forta dhe duhet të punojmë e t’i lemë gjërat e tjera pas”, u shpreh Rei Manaj.

Shqipëria e nisi sfdën me një ritëm më të ulët dhe në minutën e 19’ u ndëshkua edhe pse me një gol të dyshimtë për një prekje të topit me dorë. Rastet e paraqituar nuk u shfrytëzuan nga kuqezinjtë edhe pse në pjesën e dytë pati edhe zëvendësime me Brojën që nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë.

Shqipëria u ndëshkua edhe dy herë në minutat e fundit madje një nga golat u realizua në shtesë, ku mbrojtja nuk tregoi nivelin e duhur për të ndalur kundërshtarët.

Kombëtarja të hënën do të luajë ndaj Suedisë në Stokholm, një tjetër miqësore që do ta ndiqni sërish në Tv Klan.

Tv Klan