Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, duke përfshirë 2 fëmijë dhe 5 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi ajror nga Tel Avivi në një ndërtesë banimi në qytetin Nabatieh në jug të Libanit.
Viktimat janë të gjithë shtetas sirianë, ndërsa numri i saktë i tyre do të përcaktohet pas identfiktimit të tyre. Ushtria izraelite bëri të ditur se sulmi ajror kishte në shënjestër një depo armësh të përdorur nga militantët e Hezbollahut.
Sulmi në jug të Libanit vjen pasi Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari njoftuan se bisedimet për një armëpushim, që synojnë t’i japin fund luftës në Gaza do të vazhdojnë javën e ardhshme në Kajro.
Vetë presidenti amerikan, Xho Bajden është optimist se do të ketë një armëpushim në Rripin e Gazës që do të hyjë në fuqi shumë shpejt.
Palët këmbëngulin në kushtet e tyre. Izraeli kërkon me çdo kusht lirimin e 33 pengjeve të mbetur në duart e Hamasit. Ky i fundit kërkon që para se të arrihet një marrëveshje, ushtria izraelite të tërhiqet nga Rripi i Gazës.
Klan News