Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Plot 23 kanë qenë personazhet, të cilët kanë zbritur dje në skenën e Teatrit Kombëtar, dramën e autorit anglez David Edgar “Rëshajet”. Drama trajton çështje të mprehta të realitetit ballkanas dhe është cilësuar nga kritika botërore, si një nga dramat më të mira të shkruara në këtë drejtim. Ajo është shqipëruar nga Virgjil Muçi dhe është vënë në skenë nga regjisori Arben Kumbaro, me skenografi të Robert Jones dhe muzikë nga Endri Sina.

Në rolet kryesore kanë interpretuar Yllka Mujo, Fatos Selia, Marjeta Laraja, Hervin Çuli dhe të tjerë. Kështu pra pas 5 vjetësh përpjekjesh, regjisori Kumbaro, ka mundur të ngjitë në skenë këtë dramë, e cila është tepër e vështirë, për t’u realizuar për vetë gjatësinë e saj si vepër dhe numrin e madh të aktorëve në të.

Drama ballkanike me karakteristika thellësisht shqiptare është shpalosur në këtë vepër, e cila nis fillimisht me zbulimin në një kishtë të një afresku me vlera tepër të rralla, i cili ngjall edhe konfliktet e para mes njerëzve të cilët duan ta përfitojnë atë. Por papritur drama e Edgar ndryshon rrjedhë dhe disa emigrantë të paligjshëm hyjnë në kishë për t’i shpëtuar policisë dhe zënë rob njerëz të kombësive të ndryshme. Mes konfliktit dhe rrëmujës, afresku i rrallë përfundon i shkatërruar, por njerëzit brenda mureve të kishës fillojnë më në fund të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora