5 mijë banorë pritet të punësohen në Zonën e parë të Lirë Ekonomike në Shqipëri në Kashar. Kryebashkaku Erion Veliaj njofton se TEDA Tirana tashmë po merr formën e saj përfundimtare.

“Këtu ndodhemi në zonën mes Kasharit, Vaqarrit dhe autostradës Tiranë-Durrës, që do të thotë se ata që do të përfitojnë më shumë janë qytetarët e lagjes “Rilindja” [ish Astiri], lagjet e Kombinatit dhe lagjet e Kasharit dhe Vorës. Kjo është zona më e madhe industriale-ekonomike në Shqipëri, e menaxhuar nga një ent publik, si Bashkia e Tiranës”.

Veliaj shtoi se kjo sipërmarrje e çon qeverisjen vendore të qytetit në një tjetër nivel ku bashkia nuk ndërton vetëm shkolla, kopshte dhe çerdhe, por mendon edhe për punët e të ardhmes.

“Këtu bëhet fjalë për punët digjitale, data center, ose për punë automotive. Ne ndoshta nuk do prodhojmë makina të shtrenjtë, por pjesë të caktuara për to mund të prodhohen këtu, me punë që paguajnë rroga shumë më të mira se punët e tekstilit ose të këpucëve. Po targetojmë këto lloj biznesesh, ndaj nëse jeni pjesë e kësaj kategorie, ose nëse njihni biznese nga Japonia deri në Amerikë, që duan të transferohen këtu, do të përfitojnë disa incentiva. Incentiva e parë është pa TVSH. Kjo do të thotë se doganën do ta kemi këtu, zyrën e tatimeve dhe taksave po ashtu”.

Gjatë verës pritet të nisë faza e dytë e punimeve, ku do të ndahen parcelat për secilin prej bizneseve.

Tv Klan