Lajme Arkiva 2003

Temperaturat e larta shkaktojnë zjarre në sipërfaqet e mbuluara nga pyjet. Stina e nxehtë me temperatura 35 gradë që ka mbizotëruar në Shqipëri dhe në Evropë që prej muajit maj, ka bërë që zjarret të përfshijnë pyje, lëndina nga Mesdheu në skandinav e. Pjesë të mëdha pyjesh kanë marrë flakë në Dubrovnik, në Austri dhe madje në Finlandë, shtet që karakterizohet nga temperatura të ulëta.

Në Shqipëri vetëm gjatë 20 ditëve të këtij muaji janë shënuar rreth 40 raste zjarresh të shpërndara në të gjithë vendin. Ndër të cilat Vlora shënon edhe numrin më të madh të rasteve të regjistruara. Sipas të dhënave paraprake të drejtorisë së përgjithshme të pyjeve, zjarret kanë përshkuar rreth 350 hektarë kullota dhe 250 hektarë pyje. Drejtori i Policisë Pyjore, Agron Gaxho thotë se vetëm dy ditët e fundit janë shënuar 7 raste zjarri.

Agron Gaxho: Përgjithësisht qytetet më të ekspozuara karshi zjarreve kanë qenë qytetet e jugut, Gjirokastra, Saranda, Tepelena, për vetë faktin se temperatura në këto vende është goxha më e lartë në krahasim me veriun.

Specialistët e pyjeve janë të shqetësuar pasi sezoni i nxehtë dhe rreziku i zjarreve pritet të zgjasë edhe gjatë muajit gusht. Ndërkohë edhe pse policia pyjore ka një bashkëpunim të mirë me qendrën operacionale të Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe repartet e zjarrfikëseve nëpër rrethe, mjetet që ata kanë në dispozicion nuk lejojnë që të ndërhyhet në kohë për të parandaluar zjarret.

Agron Gaxho: Përgjithësisht e ndiejmë mbështetjen e zjarrfikëseve por terreni i Shqipërisë është i tillë që ato nuk mund të ndërhyjnë në çdo kohë, prandaj siç edhe e theksova suksesi jonë qëndron në marrjen e sinjalit menjëherë.

Zjarret që janë shkaktuar muajt e fundit në pjesën më të madhe kanë pasur shkaktar temperaturat e larta por jo rrallë herë janë shkaktuar nga pakujdesia e banorëve të zonës përreth. Për këtë arsye drejtori Gaxho thotë se paguajnë njerëz për tu kujdesur dhe për të lajmëruar menjëherë në rastet e zjarrit./tvklan.al