Policia Kufitare e Durrësit ka vënë në pranga një shtetas italian të identifikuar si Xhovani Bedini, i cili ka tentuar të trafikojë drejt Italiasë një armë zjarri automatike.

Arma ishte fshehur poshtë një dysheku dhe është zbuluar gjatë një kontrolli rutinë në një kamper në pronësi të 66-vjeçarit italian.

Bashkë me të policia sekuestroi edhe një sasi municioni.


Port, Durrës | Policia Kufitare e Durrësit finalizoi operacionin e koduar “Border”, gjatë të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri dhe një rast i modeklarimit të parave.

U sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 16 300 euro dhe 100 paund.

Për tentativën e trafikimit të armës së zjarrit, u arrestua shtetasi italian G. B., 66 vjeç, ndërsa për rastin tjetër u procedua penalisht E. H., 31 vjeç, poseduesi i parave.

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së, dhe një rast të mosdeklarimit të parave, në hyrje.

Për këto raste, veprimet hetimore dhe procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. B., për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, si dhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


Tv Klan