Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës kundër kryebashkiakut Erion Veliaj ku nuk kanë munguar edhe hedhjet e molotovit dhe tymuese përpara godinës së Bashkisë.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi mes të tjerash foli edhe lidhur me këtë situatë ku u ndal edhe tek thirrjet e deputetit Belind Këlliçi në drejtim të policisë për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Bardhi theksoi se ajo fjali është thënë nga Këlliçi jo në kuadër të drejtësisë popullore, por si përgjigje ndaj punonjësit të policisë që iu kërkonte qytetarëve të respektonin ligjin.

Blendi Fevziu: Më bëri përshtypje gjatë protestës, ju keni qenë atje u munduat që njerëzit të mos ishin agresivë ndaj punonjësve të Policisë, dëgjova thirrjen që punonjësit e Policisë duhet të arrestojnë Erion Veliajn si person të korruptuar. Kjo është drejtësi popullore.

Gazment Bardhi: Kjo është retorikë politike padiskutim…

Blendi Fevziu: Kjo është reminishencë e drejtësisë popullore të gardistëve të kuq. Ti s’mund ti kërkosh as njerëzve dhe as Policisë të arrestoje një person që dyshohet se është i korruptuar.

Gazment Bardhi: Në atë moment që kolegu Këlliçi ka thënë këtë fjali që ju thoni sigurisht që nuk e ka pasur në kuadër të drejtësisë popullore, por një punonjës policie iu bënte thirrje qytetarëve që respektoni ligjin, zbatoni ligjin dhe parulla të kësaj natyre dhe për balancë sigurisht që zoti Këlliçi i kthente përgjigje punonjësit të Policisë që mos u merr me qytetarët që kanë dalë në betejë kundër korrupsionit, por arresto të korruptuarit duke nisur nga bashkia.

Blendi Fevziu: Të korruptuarin e përcakton gjykata këtu, por të arrestosh njerëz me dyshime në këtë vend nuk do të ngelte njeri…

Gazment Bardhi: Në cilësim ligjor padiskutim, por besoj ne të dy biem dakord që nuk mund të ndodh që 5 shokë të tu të bëjnë biznes me paratë e bashkisë së Tiranës dhe ti të mos kesh dijeni.

Blendi Fevziu: Padyshim këtë e diskutojmë sa të duash unë po flas për pjesën strikte. Por të tejkalosh dhe të shkosh në këtë që unë e quajta veprim prej gardistëve të kuq sepse unë e di shumë mirë nga historia se çfarë ndodh në raste të tilla kur ti ‘ndërsen’ njerëzit me një opinion qoftë edhe i vërtetë nëse ai nesër vërteteohet sepse deri sot jemi në kuadër të dyshimit.

Ndër të tjera Bardhi ka shprehur edhe gjykimin e tij për punën e SPAK.

Blendi Fevziu: Si e gjykoni punën e SPAK deri tani Bardhi dhe a ka ndarje brenda PD për qëndrimin ndaj SPAK?

Gazment Bardhi: Si çdo qytetar unë pres shumë më shumë nga SPAK. Janë disa çështje sensitive që në gjykimin tim duhej të ishin dhënë zgjidhje dhe të ishin përfunduar hetimet. Edhe kjo çështje është zvaritur, çështja e McGonigal është një tjetër, afëra korruptive e inceneratorit është copëzuar në gjykimin tim në mënyrë të padrejtë për të shmangur nga përgjegjësia zyrtarë të caktuar . Aferat në Shëndetësi do të duhej të kishin përfunduar, mirëpo unë nuk kritikoj ato punë që SPAK-u i ka arritur. Qëndrimi im në PD si qëndrim pakice, është që në parim unë e mbështes punën e SPAK, e nxis që të zbatoj ligjin dhe të veproj e pandikuar politikisht dhe sa herë të kem një kritikë konkrete do ta bëj publike.

/tvklan.al