Në vijim të aktiviteteve të rrjetit B40, me qëllim rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik në Ballkan, Tirana mikpriti këtë javë një grup të rinjsh nga rajoni. Theksi i Kryebashkiakut Erion Veliaj ishte tek fakti se vitin tjetër Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, ndaj ky forum bashkon çuna dhe goca, që janë e ardhmja. Titulli Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës është një mundësi e jashtëzakonshme për ta përdorur Tiranën si një spirancë për të gjithë miqtë, vëllezërit e motrat tanë në Ballkan e për t’u siguruar që viti i kulturës të mos jetë vetëm i Tiranës, por i të gjithë anëtarëve tanë të B40, për të treguar vlerat kulturore.”
Veliaj shtoi se një nga objektivat e Bashkisë së Tiranës vitet e fundit ka qenë orientimi i të rinjve drejt punëve të së ardhmes.
“Çdo muaj, në Tiranë, 2000 fëmijë marrin kurse falas. Ne e konsiderojmë një të drejtë digjitale. Siç është çdo e drejtë e njeriut për arsim, për shëndetësi, ne e konsiderojmë se të përgatitesh për punët e të ardhmes duhet të jetë një e drejtë themelore e njeriut. Ndaj, kurset e fëmijëve i sponsorizojmë 100%, duke vjelë qiratë që marrim te Piramida.”
Transformimi i Tiranës për 10 vite, sipas kryebashkiakut Veliaj, duhet të shërbejë si shembull motivimi për qytetet e rajonit.
Tv Klan