Bardheblutë eliminojnë Bylisin, durrsakët përmbysin Kukësin

Tirana-Teuta është finalja e Kupës së Shqipërisë. Këto dy skuadra do të përballen për herë të pestë për këtë trofe. Fitorja 2-0 e Tiranës në sfidën e kthimit me Bylisin të mërkurën në kryeqytet kualifikoi bardheblutë.

Golat u shënuan nga Muçi dhe Hoxhallari në pjesën e parë. Përballja e parë e luajtur më 2 Korrik në Ballsh u mbyll me fitoren 2-1 me përmbysje të mallakastriotëve dhe po hetohet nga Komisioni i Etikës për trukim. Sipas trajneri Emanuel Egbo kjo përgjigje e Tiranës i ka hedhur poshtë këto akuza.

“I kemi mbyllur gojët që thanë pas ndeshjes së parë se Tirana do të linte Bylisin të shkonte në finale”, tha Egbo.

Teuta fitoi me përmbysje 2-1 me Kukësin në Durrës, duke kaluar në finale, pasi ndeshja e parë përfundoi pa gola. Rroca realizoi fillimisht për Kukësin, ndërsa Kapllani dhe Hoxha me golat e tyre vendosën suksesin për durrsakët. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet më 2 Gusht.

Tv Klan