INSTAT: Rënia më e madhe tek mineralet dhe tekstilet e këpucët

Viti 2024 ka nisur negativ për pjesën më të madhe të eksportuesve shqiptarë. Sipas INSTAT në Shkurt eksportet e mallrave arritën vlerën 32 mld lekë, duke u ulur me -16,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Negativisht kanë ndikuar grupet, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,7 %  , “Tekstile dhe këpucë” me -4,5%, Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 %. Grupi Tekstilet e këpucët po vijojnë me rënie për muaj radhazi dhe kanë filluar tashmë mbylljet e fabrikave, dhe faktor kryesor është rënia e ndjeshme e euros. 

Përveç “produktet kimike e plastike” dhe “ushqime, pije e duhan”, që shënuan një rritje modeste,0.4% dhe 0.1%  e të gjitha grupet e tjera ishin me rënie. Sipas INSTAT eksportet, gjatë periudhës dy mujore Janar – Shkurt kanë rënë me -23 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 74 mld lekë, duke u rritur me 6,4 %, në krahasim me një vit më parë. Ndikim pozitiv për rritjen e importeve kanë dhënë grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 7,4 % si dhe “Ushqime, pije, duhan” me 1,6 %. Ulja e ndjeshme e eksporteve ka bërë që të thellohet deficiti tregtar, i cili për muajin Shkurt u rrit me 34% dhe arriti në vlerën e 42 miliardë lekëve.

Klan News