Me dorën mbi dy Bibla, njërën të dhuruar nga e ëma dhe tjetrën të Abraham Lincoln-it, Donald Trump u betua këtë të Hënë si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Betimin e bëri edhe zëvendësi i tij James David Vance.
Betimi i Donald Trump-it u shoqërua edhe me 21 të shtëna topash siç është traditë. Në fjalimin tij të parë si president, Trump tha se tashmë nis epoka e artë e Shteteve të Bashkuara.
Trump shpalosi prioritetet e presidencës, ku të parën renditi luftën kundër emigracionit të jashtëligjshëm dhe karteleve të drogës.
“Do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në kufirin lindor. Të gjitha hyrjet e jashtëligjshme do të ndalen. Do të nisim dëbimin e emigrantëve të jashtëligjshëm drejt kufijve jugorë. Do të nisim politikën “kap e dëbo”. Do të dërgoj trupat ushtarake në kufi. Do t’i shpall trafikantët e njerëzve dhe kartelet e drogës, organizata terroriste. Do të urdhëroj nisjen e luftës kundër grupeve të banditëve në gjithë vendin”.
Premtoi se do ta bëjë vendin sërish të pasur dhe këtë do ta arrijë fillimisht, duke e bërë si vendin kryesor eksportues të naftës në botë.
“Do të nisë nxjerrja masive e naftës. Shtetet e Bashkuara do të jenë sërish vend prodhues. Kemi sasinë më të madhe të naftës në botë dhe do ta shfrytëzojmë. Do të ulim çmimet. Do anulohet urdhri që favorizon makinat elektrike. Do të anulohet marrëveshja për reduktimin e gazrave karbonike. Do të nisim të prodhojmë sërish masivisht makina në vend dhe qytetarët do të zgjedhin ç’lloj makine të duan pa u kufizuar”.
Duke marrë si shembull suksesi marrëveshjen e paqes mes Hamasit dhe Izraelit, Trump premtoi se nuk do të nisë luftëra të reja.
“Nuk do të hyjmë më në luftë. Detyra ime do të jetë sjellës i paqes, përbashkues”.
Mes prioriteteve të tjera është njohja e vetëm dy gjinive, mashkull femër, rikthimin në administratë të çdo punonjësi të përjashtuar për thyerjen e rregullave të pandemisë COVID-19, fundin e pandemive kronike dhe dërgimin e flamurit amerikan në mars.
Për shkak të motit të ftohtë që mbërtheu sot Uashingtonin me temperatura deri -13 gradë Celcius, ceremonia e betimit u zhvillua në hollin e madh rrethor të Capitol-it, ku të pranishëm ishin qindra pjesëmarrës, ndër të cilët familjarët e Trump-it, pararendësi Joe Biden, ish-presidentë, ish-zëvendësit e tyre, e shumë të ftuar të tjerë të shquar, ndër të cilët edhe krerët e kompanive të teknologjisë së lartë si Elon Musk, Mark Zuckerberg e Jeff Bezos.
Tv Klan