Pas kërcënimit për tarifa ndaj BE-së, Presidenti Donald Trump ka emëruar Andrew Puzder, për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian.

Puzder u propozua për të qenë Sekretar i Departamentit të Punës gjatë administratës së parë të Trump, por u tërhoq mes shqetësimeve se nuk do të mund të siguronte mjaftueshëm vota në Senat për t’u konfirmuar.

Në një postim në Truth Social, Trump thotë se “Puzder do të bëjë një punë të shkëlqyer duke përfaqësuar interesat e kombit tonë në këtë rajon të rëndësishëm”.

Njoftimi vjen pasi Trump tha se “Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq për ne”.

“Andy do të bëjë një punë të shkëlqyer duke përfaqësuar interesat e kombit tonë në këtë rajon të rëndësishëm”, tha Presidenti ndërsa njoftoi emërimin e tij për ambasador të SHBA-së në BE.

Presidenti Trump i dha zë shqetësimit të tij mbi tarifat gjatë komenteve për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë pasi mori detyrën, por nuk vendosi menjëherë tarifa siç kishte premtuar gjatë fushatës së tij. Trump ka kërcënuar gjithashtu me tarifa Meksikën, Kanadanë dhe Kinën.

Kur u emërua si Sekretar i Punës gjatë administratës së parë Trump, Puzder ishte në qendër të një vorbulle polemikash. Ai u përball gjithashtu me një mori ankesash dhe çështjesh ligjore të ngritura nga punonjës kundër bizneseve të tij.

Ndërkaq, në mesin e një morie vendimesh të miratuara së fundmi Trump shpalli lëvizjen Houthi të Jemenit, të njohur zyrtarisht si Ansar Allah si “organizatë e huaj terroriste”.

Vendimi imponon dënime më të ashpra nga sa kishte zbatuar administrata Biden për grupin e lidhur me Iranin, si përgjigje ndaj sulmeve të tij ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, si dhe kundër anijeve luftarake amerikane që mbrojnë këtë korridor jetik detar.

Klan News