Pas qartësimit të fitores në zgjedhjet presidenciale, Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij nuk po humbin kohë dhe kanë nisur konsultimet për formimin e administratës së re. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Trump do të nisë përzgjedhjen e sekretarëve të rinj brenda pak ditëve dhe javëve të ardhshme, teksa ndihmësit e tij kanë nisur të hartojnë listën e kandidatëve për këto poste.

Në mediat ndërkombëtare kanë nisur menjëherë të qarkullojnë emrat e mundshëm. Për postin e Sekretarit të Shtetit, agjencia e lajmeve Reuters shkruan se kandidati më potencial është senatori Bill Haerty, një prej kundërshtarëve më të ashpër të ndihmave financiare për Ukrainën.

Kandidatë të tjerë për këtë post janë Robert O’Brien, këshilltari i fundit për sigurinë në administratën e parë të Donald Trampit dhe senatoriMarko Rubio, të dy me një qasje më të butë ndaj Ukrainës, me tendencë mbështetjen përballë sulmit rus. Të tre kandidatët, megjithatë kanë mbështetur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i Trump-it për dialogun Kosovë-Serbi pritet të jetë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Ish-sekretari i Shtetit Majk Pompeo mund të rikthehet në post, ndërsa si sekretar Thesari, më i përfoluri është ai që renditet mes njerëzve besnikë të ish-presidentit Robert Lighthizer, ish-drejtues i Zyrës për Tregtinë.

Veç presidencës, republikanët kanë siguruar edhe shumicën në Senat, ndërsa drejt sigurimit të saj edhe në Dhomën e Ulët, teksa numërimi i votave vijon.

Mediat bëjnë të ditur se prokurori i posaçëm Jack Smith pritet të mbyllë hetimet për dy çështje federale ndaj Donald Trumpit, një praktikë e Departamentit të Drejtësisë që ushtrohet ndaj presidentëve në detyrë.

Tv Klan