Sondazhet një javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane nuk japin një panoramë të qartë. Sipas sondazhi të fundit të Reuters/Ipsos të publikuar të martën, epërsia e Kamala Harris ndaj DonaldTrump u zvogëlua në pjesën e fundit të garës presidenciale ku demokratja është përpara me vetëm një pikë përqindjeje ndaj republikanit, 44% në 43%.
Sondazhi treditor, i përfunduar të dielën, tregoi se gara është thuajse e barabartë dhe marzhi i gabimit është 3 pikë përqindje për secilin kandidat.
Ndërsa Harris ka udhëhequr ndaj Trumpit në çdo sondazh të Reuters/Ipsos mes votuesve të regjistruar, epërsia e saj është “tkurrur” vazhdimisht që nga fundi i shtatorit. Një sondazh i mëparshëm i Reuters/Ipsos, i kryer nga 16-21 tetor, tregoi se Harris kishte dy pikë epërsi ndaj ish-presidentit Trump.
Sondazhi i ri, i cili anketoi 1,150 të rritur amerikanë në mbarë vendin, duke përfshirë 975 votues të regjistruar, tregoi se Trumpka avantazhe të konsiderueshme ndaj Harris në disa prej çështjeve që votuesit i konsiderojnë më të ngutshme. Të pyetur se cili nga dy kandidatët ka një qasje më të mirë ndaj ekonomisë, papunësisë dhe vendeve të punës, votuesit në sondazh zgjodhën Trump 47% me 37%. Trump ka pasur avantazh në ekonomi gjatë gjithë fushatës dhe 26% e votuesve në sondazhin e fundit përmendën vendet e punës dhe ekonominë si problemin më urgjent të vendit.
Vetëm një javë deri në zgjedhje, emocionet e votuesve kanë filluar të intensifikohen. Në Arizona, një shtet kyç për shpalljen e fituesit, studentët e universitetit morën pjesë në veprimtarinë “Dilni votoni për Harris-Walz”. “Sigurisht që jam në ankth, e dini? Me kandidaten KamalaHarris, ndihem sikur ka me të vërtetë shpresë. E kundërta është padyshim e frikshme” , tha 19 vjeçari Ezequiel Feliciano.
Votimi i hershëm vazhdon në një shtet tjetër kyç, në Karolinën e Veriut. Banori John Miller nuk ndihet i befasuar me kandidatët. “Nuk ka kandidatura të mira, në kaq shumë nivele, por veçanërisht në garën presidenciale. Është e tmerrshme për mua,” tha ai.
Sondazhet kombëtare, duke përfshirë sondazhet e Reuters/Ipsos, japin sinjale të rëndësishme mbi pikëpamjet e elektoratit, por rezultatet shtet pas shteti të Kolegjit Zgjedhor përcaktojnë fituesin dhe shtatë shtete konsiderohen fushëbeteja që edhe kësaj here ka të ngjarë të jenë vendimtare.
Trump mundi demokraten Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, duke triumfuar në Kolegjin Zgjedhor edhe pse ajo fitoi votën popullore kombëtare me dy pikë.
Klan News