Denzel Washington është kthyer në një meshtar pasi është pagëzuar përpara 70-vjetorit të tij gjatë një ceremonie fetare në Nju-Jork.
Ylli i “Gladiator II” u pagëzua të shtunën në Kelly Temple Church of God in Christ në Harlem. Shërbesa fetare u transmetua në Facebook dhe aktori shfaqej i veshur me një petk të bardhë, u zhyt në enën e pagëzimit dhe iu dorëzua një certifikatë.
Ndërsa përmendi se më 28 dhjetor ai mbush 70 vjeç, Washington u shpreh: “U desh ca kohë, por jam këtu”. Ai foli për një ngjarje kur në moshën 20-vjeçare takoi një grua në sallonin e nënës së tij, të quajtur Ruth Green që i tha: “Djalosh, ti do të udhëtosh botën dhe do t’u flasësh miliona njerëzve”.
Atij iu dha edhe një licencë nga kisha që do t’i lejojë të udhëheqë shërbesa të vogla fetare si dasmat dhe në të ardhmen mund të shugurohet.
Në muajin nëntor në një intervistë për Esquire, Washington përshkroi momentin e zgjimit të tij shpirtëror që ndodhi rreth viteve ’80 në një kishë në Los Anxheles. “Ndihesha sikur po më ngrinin në ajër. U ndieva sikur shpina më ishte harkuar dhe i kisha sytë mbyllur. Jo se po ngrihesha në ajër, por s’mund ta përshkruaj. Dhe po flisja sepse po mbushesha me Shpirtin e Shenjtë”.
Në të njëjtën intervistë, aktori u shpreh edhe për vështirësitë që hasen në Hollywood nëse tregohesh i hapur për besimin. “Nuk flitet. Nuk është e modës. Nuk është seksi. Por kjo s’do të thotë që ata që janë në Hollywood nuk besojnë”./tvklan.al