Ky është momenti kur autoritetet turke i dorëzojnë policisë shqiptare në aeroportin e Stambollit të shumëkërkuarin, Dritan Rexhepi duke përmbyllur kështu procesin e ekstradimit të tij drejt vendit tonë.
Ndërsa këto janë pamjet kur ai mbërrin në Shqipëri, ku nën masa të larta sigurie u transportua në paraburgimin 313 në Tiranë. Vendimi për ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit njohur ndryshe dhe me emrin Gramos, gjykata turke e mori në fund të muajit Dhjetor.
Për vënien e 45-vjeçarit përpara drejtësisë ishte e interesuar dhe Italia, e cila gjithashtu kishte kërkuar ekstradimin e tij. Në vendin fqinj, Rexhepi është dënuar në 2010 me 16 vite burg për trafik droge, nga i cili kishte kryer vetëm 3 vite pasi u arratis nga burgu i Firences.
Megjithatë akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet shqiptare duket se kanë bindur palën turke për të aprovuar ekstradimin drejt vendit tonë.
Në Shqipëri Gramos Rexhepi është dënuar me 25 vite burg në vitin 2013, për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1999 në një lokal në qytetin e Krujës.
Në atë ngjarje 45-vjeçari në bashkëpunim me një person tjetër ekzekutoi një punonjës policie dhe pronarin e lokalit ku efektivi ndodhej. Ndërkohë në 2015 ai është dënuar me 4 vite burg nga gjykata e Fierit për falsifikim.
Një tjetër krim i rëndë për të cilin Gramos Rexhepi është vënë në akuzë, është rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës në 2020, ai dyshohet si organizator i asaj ngjarje. Sipas SPAK ai në bashkëpunim me Gentian Doçin kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës pas dyshimeve se vëllai i këtij të fundit në 2019 i kishte vjedhur në Angli një konteiner me lëndë narkotike në pronësi të tyre.
Tv Klan