Astronomët e Agjencisë Hapësinore Europiane të misionit Euclid kanë fotografuar një fenomen të rrallë kozmik dhe vëzhgimet e tyre ishin thjesht një rastësi.

Zbulimi lidhet me disa  të dhëna të hershme nga teleskopi Euclid që u prezantua në korrik të vitit 2023 për të studiuar universin e errët dhe shkencëtarët i kaluan muajt e  parë duke testuar dhe kalibruar instrumentet e tij. Kur fotot e provave u dërguan në Tokë, shkencëtari Bruno Altieri vuri re diçka që  dukej si unaza e Ajnshtajnit.

Unazat e Ajnshtajnit ndodhin kur drita që vjen nga një galaktikë e largët përkulet dhe formon një unazë të ndritshme rreth një objekti tjetër teksa ai objekt është nën vëzhgim. Unazat e rralla mbajnë emrin e fizikantit Albert Ajnshtajn. Teoria e tij e relativitetit parashikon që drita mund të  përthyhet dhe të  ndriçojë objektet përgjatë kozmosit.

Për herë të parë, një unazë drite u zbulua përreth galaktikës NGC 6505 që është studiuar nga shkencëtarët. Unaza krijohej nga drita e përthyer që vinte nga një galaktikë e largët, rreth 4.42 miliardë  vite dritë larg. Kjo e fundit nuk është vënë re më parë dhe nuk ka një emër.

Unazat e Ajnshtajnit funksionojnë si një lupë zmadhuese në univers duke  zbuluar trupa qiellorë dhe dritën që vjen nga galaktikat e largëta të cilat mund të mos ishin vënë re më parë.

Që një e tillë të krijohet, duhet të bashkëveprojnë disa faktorë. Galaktika e dukshme duhet të jetë në një linjë perfekte me atë të fshehurën. Është kaq e rrallë dhe vetëm 1% e galaktikave kanë një unazë  Ajnshtajni. Njihen rreth 100-1000 trupa që kanë unazën, por vetëm disa prej tyre janë studiuar deri në detaje.

Kjo unazë në veçanti do t’i ndihmojë astronomët të thellohen brenda galaktikës së largët e të panjohur që të mund të përllogarisin masën dhe përbërjen e saj, sa yje ka prodhuar dhe si ka ndryshuar përgjatë kohës.

Shkencëtarëve iu intereson që të studiojnë unazat e Ajnshtajnit pasi mund të përdoren për të mësuar mbi energjinë dhe materien e errët. Edhe pse kjo e fundit nuk është evidentuar asnjëherë, besohet se përbën rreth 85% të së gjithë materies së universit./tvklan.al