Kur universi ishte i sapoformuar pas Big Bang-ut që ndodhi rreth 13.8 miliardë vite më parë, galaktikave iu deshën pak kohë që të grumbulloheshin.
Teleskopi James Webb ka zbuluar një galaktikë gjigante që është shfaqur 12.8 miliardë vite më parë, me një strukturë kaq të ndërlikuar sa i përket kategorisë më spektakolare, galaktikave të mëdha spirale.
Emri i kësaj galaktike që identifikohet si më e largëta e llojit të saj deri më tani është Zhúlóng. “Zhúlóng tregon se galaktikat e mëdha dolën shumë më herët nga sa mendohej në miliarda vitet e para që pasuan Big Bang-un”, shkruan një ekip i Universitetit të Gjenevës. “Zbulimi ynë tregon kufizimet kryesore të modeleve në formimin e galaktikave të mëdha dhe zanafillën e strukturave spirale të universit të hershëm”.
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/01/galaktika1.jpg)
Në universin e sotëm, galaktikat kanë forma dhe madhësi të ndryshme. Galaktikat e mëdha spirale janë më të strukturuarat pasi kanë anë të përdredhura, të dukshme dhe të formuara mirë që lakohen larg qendrës së ndritshme, thuajse një ide platonike sesi duken galaktikat.
Zhúlóng veçohet nga ekipi si një galaktikë e mrekullueshme. Ajo është shumë e madhe, me një diametër rreth 62.000 vite-dritë dhe një masë që krahasohet me atë të Rrugës së Qumështit. Vrima e zezë në mes duket e fjetur duke treguar se ritmi i formimit të yjeve nga 20-155 masa diellore në vit, po bie.
Shkencëtarët besojnë se Zhúlóng përfaqëson shembullin më të hershëm të një galaktike spirale deri më sot. Kjo tregon se një galaktikë si Rruga e Qumështit mund të formohet më shpejt sesa mendonim, të paktën 10 herë më shpejt. Këto e bëjnë galaktikën të jashtëzakonshme dhe tregojnë formimin e shpejtë dhe evolucionin morfologjik të galaktikave të mëdha në universin e dikurshëm./tvklan.al