Astronomët kanë gjetur galaktikën “të vdekur” më të vjetër ndërsa studionin kozmosin me teleksopin James Webb dhe është një nga fushëpamjet më të thella në universin e largët.

Galaktika ka ekzistuar kur universi ishte rreth 700 milionë vjeç (sot është 13.8 miliardë). Por diçka bëri që galaktika të ndalonte papritur formimin e yjeve thuajse po aq shpejt sa lindja e tyre kishte nisur më shumë se 13 miliardë vite më parë dhe shkencëtarët duhet të gjejnë shkakun.

Studimi i galaktikës mund të zbulojë informacione të reja për universin e hershëm dhe faktorët që ndikojnë në formimin e yjeve brenda tyre.

“Qindra miliona vitet e para të universit ishin një fazë shumë aktive, me shumë re gazi që formonin yje të reja. Galaktikave u duhet një sasi e madhe gazi që të formojnë yje të reja dhe universi i hershëm ishte si një banket”, tha autori i studimit, Tobias Looser nga Universiteti i Kembrixhit.

Ekipi kërkimor u habit kur gjeti galaktikën e vdekur që në të vërtetë thjesht ‘jetoi’ pak dhe ‘vdiq’ shumë shpejt pas shpërthimit që ndërtoi universin.

Galaktika e vdekur nuk është e para që astronomët kanë hasur, por është më e vjetra deri më tani. Veç kësaj, ajo ka një masë të vogël, të ngjashme me një galaktikë xhuxhe pranë Rrugës së Qumështit që njihet si Reja e Vogël Magelanike e cila formon ende yje të rinj.

Ajo ndodhet miliarda vite dritë larg tokës kështu që teleskopi po e monitoron njësoj siç ka qenë në të shkuarën. Astronomët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që mund të jetë rishfaqur dhe të ketë rifilluar formimin e yjeve./tvklan.al