Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi rrezikun e një ‘gare globale’ pa fund me Donald Trump, nëse SHBA përdor mjete ekonomike si sanksionet, kontrollet e eksportit dhe tarifat.

Duke folur në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror një ditë pas inaugurimit të Presidentit amerikan Donald Trump, Von der Leyen foli për një epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike.

“Nëse kjo konkurrencë intensifikohet, ne do të shohim mundësinë e përdorimit të mjeteve ekonomike, të tilla si sanksionet, kontrollet e eksporteve dhe tarifat, që synojnë të mbrojnë sigurinë ekonomike dhe kombëtare. Në këtë frymë, ne do të duhet të punojmë së bashku për të shmangur një garë globale deri në fund sepse inovacioni nuk duhet të mbytet. Ne duhet të modernizojmë rregullat për të mbështetur aftësinë tonë për të prodhuar përfitime reciproke për qytetarët tanë”, tha Ursula von der Leyen.

BE-ja mund të blejë më shumë gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja për të zëvendësuar gazin natyror rus në një përpjekje për të bindur Donald Trump që të mos vendosë tarifa ndaj importeve evropiane.

“Mesazhi ynë për botën është e qartë. Nëse kemi përfitime të përbashkëta ne ju themi se jemi të gatshëm për të bërë tregti me ju. Ne bëjmë reforma ekonomike bazuar në rregullat demokratike Asnjë ekonomi tjetër në botë nuk është aq e integruar sa e jona. Ne kemi punësuar në kompanitë evropiane 3.5 milion amerikanë. Dy të tretat e aseteve ekonomike amerikane janë të vendosura në kontinentin evropian. Prioriteti ynë i parë është që të jemi të gatshëm për negociata pragmatiste bazuar në parimet tona për të mbrojtur vlerat tona. Ky është një moment për përfshirje pa bllokada e tabu. Vizita ime e parë në mandatin e dytë do të jetë në Indi. Po ashtu ne mund të gjejmë zgjidhje me përfitime të përbashkëta reciproke edhe me Kinën në fushën e biznesit dhe investimeve”, tha von der Leyen.

Udhëheqësit e BE-së kanë bërë thirrje që të shtohet prodhimi i armëve në kontinentin e vjetër mes frikës së Trump do të ndërpresë mbështetjen për Ukrainën.

Klan News