Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka dhënë detaje mbi projektin e shpalosur disa ditë më parë, për ushqim falas për të gjithë nxënësit në shkollat publike 9-vjeçare në Tiranë. Filozofia e këtij projekti është që të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë fëmijët, kryesisht për ata që vijnë nga familje me ekonomi më të dobët.

“Si të majtë ne besojmë se nëse fëmijët marrin të njëjtat vitamina, të njëjtat vlera ushqyese, është një mënyrë për t’i mbajtur fëmijët më gjatë në shkollë, por edhe që ta kenë fillimin e barabartë. Edhe te Piramida, ku i kemi të gjitha kurset falas, funksionon filozofia që startin ta kenë të gjithë njësoj”, tha Veliaj.

Duke nisur nga shtatori i ardhshëm, Veliaj u shpreh se Tirana do të jetë qyteti i parë në rajon që aplikon një projekt të tillë, që aktualisht zbatohet në Londër.

“Do ketë një sistem kateringu në shumë shkolla. Do jemi ndoshta i pari qytet që e bën këtë në rajon. E kemi marrë si projekt nga Londra. Londra po e bën shumë mire këtë”, shtoi ai.

Ideja për këtë projekt, Veliaj tha se ka qenë prej kohësh, por tashmë janë mundësitë ekonomike për ta zbatuar.

“Është diçka që e kemi menduar prej kohësh, por nuk e kemi pasur mundësinë. Nëse para 9 vitesh bashkia ishte e falimentuar, nuk paguanim dot ndihmën ekonomike, nuk paguanim dot rrogat, e nuk ndërtonim një shkollë, sot bashkia nuk është e tillë. Sot ka 10-fishin e buxhetit. Kjo do të thotë se e ka mundësinë që të mendojë. Unë nuk e fsheh, unë jam socialist, jam i majtë, unë besoj se shteti ka një detyrim social, sidomos ndaj shtresave në nevojë”, përfundoi Veliaj./tvklan.al