Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Vazhdon misteri në lidhje me vërtetësinë e deklaratës së kryeministrit Fatos Nano për burimin e të vetmes pasuri monetare në zotërim, makinën e tij Mercedes-Benz. Në deklaratën e pasurisë, kryeministri shprehet se makina e tij luksoze me një vlerë mbi 150 mijë euro, i është dhuruar për qëllime promocionale nga filiali i Mercedes-Benz në Tiranë me përfaqësues Basri Ruka.

Ndërkohë gazeta “Korrieri” ka botuar sot deklaratën e zëdhënëses së kompanisë Mercedes-Benz në Shtuttgart, Ursula Meisinstain. Zëdhënësja e kompanisë deklaron, se koncerni i automobilave Benz, nuk ka dhuruar asnjë automjet për Fatos Nanon, as në kohë që Nano ka drejtuar PS dhe as më pas si drejtues i qeverisë.

Ndërsa Auto Star Albania në Tiranë prej javësh refuzon të deklarojë nëse ka dhuruar këtë makinë, si dhe ka deklaruar Nano. Interesit të vazhdueshëm të medias, kjo kompani mesa duket i është përgjigjur me deklaratën mohuese të zëdhënëses në zyrën qendrore në Shtuttgart.

Ndërkohë Inspektorati i Lartë i Deklarimeve dhe Kontrollit të Pasurive nuk ka kryer ende kontrollin për deklaratën e kryeministrit, pasi kryeinspektorja dhe stafi i saj ndodhen për një vizitë pune disa javore jashtë vendit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj