“Buxheti i solidaritetit”, kështu e ka cilësuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2025.
“Ky është një buxhet solidariteti dhe i majtë, në sensin jo PS-PD, por i majtë në sensin e një politike sociale. Kush ka më shumë nevojë për mbështetje janë fëmijët dhe nxënësit, prandaj fokusin e kemi te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Kanë nevojë studentët, prandaj edhe buxheti do ta subvencionojë prapë 100% abonenë e studentit. Kanë nevojë edhe studentët që nuk janë të Tiranës, dhe që jetojnë në Qytetin Studenti, të cilëve bashkia u paguan gjysmën e pagesës së konviktit”, tha Veliaj.
Mandej, ai tha se ndihet krenar që Tirana e 2025-ës do jetë një Tiranë, jo vetëm e mbushur me aktivitete kulturore, por edhe me suport për të gjithë.
“Më vjen mirë që me këtë buxhet solidar, në 2025 do kemi një Tiranë me ushqimin në shkolla, me transportin falas për gjyshet dhe për gjyshërit, me 5 shkolla të reja, sidomos në zonat periferike të Tiranës, dhe me kontributin më të madh për artin dhe për kulturën në vitin që Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës”, përfundoi kreu i Bashkisë.