Kryetari i Bashkisë së Stambollit dhe një delegacion nga bashki të ndryshme të Turqisë janë pritur në Tiranë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se Tirana po përmbyll një vit të suksesshëm me Presidencën e B-40, rrjetit më të madh të bashkive të rajonit të Ballkanit.
Erion Veliaj, kryetar i bashkisë Tiranë: Ne po përmbyllim një vit shumë të suksesshëm me B-40. Ka qenë një nismë e z. Ekrem për t’u njohur mes nesh, për të punuar dhe bashkëpunuar mes nesh. Me Presidencën e B-40 Tirana ka qenë një histori suksesi, që ne duam ta vazhdojmë me presidencën e radhës, dhe më vjen mirë që rrjeti ynë, nga 21 qytete anëtare ka shkuar në mbi 70 bashki.
Nga ana tjetër kryetari i Bashkisë së Stambollit, shprehu vlerësim për punën e kryebashkiakut Veliaj në transformimin e qytetit.
Ekrem Imamoglu, kryetar i bashkisë së Stambollit: Jam i lumtur kur shoh suksesin e qytetit të Tiranës nën drejtimin e mikut tim të dashur, Erionit, i cili ka ndërmarrë disa hapa konkrete dhe shumë të rëndësishme drejt arritjes së këtij qëllimi, dhe është një shembull i suksesshëm kur vjen puna për krijimin e qyteteve të jetueshme në Europë dhe e gjithë Europa po i ndjek hapat e tij të suksesshme.
Rrjeti i bashkive të rajonit u krijua në Nëntor të vitit 2021, në një kohë kur i gjithë globi përballej me pandeminë Covid-19, si urë bashkëpunimi mes qyteteve.
Pas këtij takimi të dy kryebashkiakët morën pjesë në Forumin Urban të B-40, aty ku Tirana mirëpriti kryetarët e bashkive të Ballkanit.
Ky forum shënon një moment të rëndësishëm për kryeqytetin, e cila mbajti përgjatë 2024 presidencën e saj në rrjetin B-40, duke treguar se bashkëpunimi rajonal është çelësi për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve të Ballkanit.
Tv Klan