Puna është më e vlefshme se dhuna. Kështu i është përgjigjur kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj protestuesve përpara bashkisë, dhe si shembull mori rrugën e rikonstruktuar në lagjen e deputetit, njëherësh edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratikë, Flamur Noka.
“Më vjen mirë që edhe ata që kanë bërë shtëpi dhe mund të mendojnë ndryshe nga ne, si familja Noka besoj fort që pas molotovit kur të kthehen në shtëpitë e bukura, do e shijojnë punën e bashkisë dhe do e kuptojnë që puna është shumë më e vlefshme se dhuna. Mome, si je, bëji të fala Flamurit, ta gëzojë”, tha Veliaj.
Sipas Veliajt, për të ecur përpara duhet bashkëpunimi i gjithsecilit.
“Me ecur përpara është shumë më e nevojshme se me shkuar mbrapa. Dhe me bashkëpunuar me njëri tjetrin është shumë herë më e dobishme për qytetin, se me i vënë stërkëmbësha njëri tjetrit. Mezi pres tani që do vazhdojmë përpara. Do vijmë për një rrugë tjetër”.
Gjatë inspektimit të rrugës, “Grigor Cilka”, e cila lidh Njësinë 2 të Tiranës me lagjet e Farkës, Veliaj tha se falë investimit të Bashkisë së Tiranës në periferi, njësoj si në qendër, edhe në këtë zonë do të rritet ndjeshëm vlera e pronës.
Tv Klan