Gjykata e Posaçme e Apelit sqaroi me anë të një reagimi zyrtar pse caktoi një masë të re ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi Shkalla e Parë e kishte lënë atë nën hetim pa asnjë masë sigurimi. Së pari, gjykata thotë se vendimi për shuarjen e masës “arrest në shtëpi” nga Shkalla e Parë ishte e gabuar pasi nuk kishte asnjë rrethanë të re dhe ishte një gjë e gjykuar më herët.

“Kërkuesi z. Sali Berisha e ka tentuar duke paraqitur edhe më parë pranë gjyqtarit të hetimeve paraprake, kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit personal, ku e tillë kërkesë është rrëzuar me vendim të konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit. Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal. Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar”.

Zëvendësimin e “arrestit në shtëpi” me masën e “detyrimit për t’u paraqitur”, Apeli e argumenton edhe me rolin e Berishës në fushatën elektorale.

“Duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme. Me anë të kësaj mase, pra “Arrestit në shtëpi” kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke iu dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet.

Gjithashtu, Apeli shton se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e ish-kryeministrit, se masa e detyrimit për t’u paraqitur ishte marrë në shkelje të Kushtetues. Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në zbatim të masës së re në 6 Janar pranë një OPGJ-je në SPAK dhe pritet të paraqitet sërish në datën 20 Janar, duke vazhduar me të njëjtin rregull të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Tv Klan