Rehabilitohet blloku i banimit në Njësinë 3. Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se përmes projektit 100 lagje, çdo muaj në kryeqytet po krijohet një lagje e re.
“Është shumë e rëndësishme të kemi hapësira të mëdha publike, si te sheshi ‘Skënderbej’, Pazari i Ri, te Liqeni, Kalaja, por ne e dimë se, 90% të kohës, njerëzit rrinë në lagje, jo në sheshe. Për sa kohë që projekti i ‘100 lagjeve’ po krijon çdo muaj nga një lagje të re, jemi shumë pranë momentit kur mund të themi se Tirana është urbanizuar e gjitha, sidomos lagjet me ndërtimet e vjetra të kohës së komunizmit”, tha Veliaj.
Sipa kryebashkiakut, pas përfundimit të investimeve infrastrukturore, nevojë mbetet rehabilitimi i pallateve të vjetra.
“Pjesa më e madhe e pallateve janë pallate të vjetra, të kohës së komunizmit, që kanë nevojë për një veshje kapotë. Ne i kemi hapur thirrjet gjatë gjithë vitit, por me buxhetin e ri do të kemi mundësi të bëjmë edhe 200 pallate të tjera. Ftesa për të gjithë dashamirësit është: Ejani aplikoni! Bashkia e Tiranës paguan 50% të kostos së veshjes së pallatit me kapotë, ndërkohë që paguan gjithashtu edhe për çdo pensionist, për çdo person me aftësi të kufizuar dhe me ndihmë ekonomike”, shprehet Veliaj.
Teksa e konsideroi kryeqytetin një kantier investimesh, Veliaj nënvizoi se buxheti i vitit 2025 do të jetë jo vetëm më i madhi, por më transformuesi i Bashkisë së Tiranës, ku një rol të rëndësishëm zë edhe subvencionimi për pensionistët të cilët do të udhëtojnë falas në transport publik nga 1 Janari.
Tv Klan