“Jo ndryshime të tjera përpara zgjedhjeve të 2021”
Në këtë opinion paraprak që u ka dërguar palëve në Tiranë, Komisioni i Venecias kërkon nga autoritetet që të nisë pa humbur kohë zbatimi i Kodin Zgjedhor, pa bërë ndryshime të tjera, sepse vendi është pak muaj përpara zgjedhjeve. Pas kërkesës së Presidentit Meta për të dhënë një mendim mbi ndryshimet e bëra në 5 Tetor në parlament, Komisioni i Venecias thotë se ishin të nxituara, por tani apelon për dialog mes palëve.
“Që të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, të sqarojnë ndikimin e ndryshimeve dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato. Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale që nuk duhet të ndryshohet”.
Ndryshimi i koalicioneve parazgjedhore, një çështje që shkaktoi mjaft debate në vend, sipas Venecias nuk pritet të ketë efekt të madh, por mund të jetë vendimtar në rast të një rezultati të ngushtë.
“Nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në caktimin e një numri të madh vendesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”.
Komisioni i Venecias nënvizon se me heqjen e termit “koalicion” nga neni 68 i Kushtetutës dhe lënia e tij në nenin 96 pika 1 nuk duket se ka të njëjtin kuptim me atë që thuhet në Kod për zgjedhjen e kryeministrit të ri, ndaj kjo ndoshta duhet të sqarohet me një marrëveshje politike përpara zgjedhjeve të 2021. Një ndryshim tjetër në Kod ishte ai i hapjes pjesërisht të listave, për të cilin Komisioni i Venecias thotë se do të varet nga sjellja e votuesve.
“Është e vështirë të parashikohet efekti në rezultate i futjes së listave pjesërisht të hapura. Efekti i kësaj risie do të varet nga sjellja e votuesve, më saktësisht nga përdorimi pak a shumë i gjerë që ata do të bëjnë të mundësisë për të votuar për një kandidat specifik”.
Komisioni i Venecias thotë se duhet që pas zgjedhjeve të 25 Prillit duhet të kufizohet e drejta e kryetarëve të partive për të kandiduar në më shumë se një zonë zgjedhore. Autoritetet duhet të sqarojnë edhe çështjen e pragut 1%. Komisioni i Venecias thotë se nuk mund të japë një opinion nëse këto ndryshime shkelin Kushtetutën, sepse sipas tij, kjo i takon Gjykatës Kushtetuese, për të cilën apelon që të bëhet sa më shpejt funksionale.
Tv Klan