Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u përfshi në debat me kryetaren e parlamentit, Elisa Spiropali këtë të enjte. Shkak ishte kërkesa e tij për t’u njohur me draft-opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen për mandatin e Olta Xhaçkës. Ai akuzoi kryetaren e Kuvendit se pasi është njohur me draft-opinionin, ia ka vënë në dispozicion vetëm grupit të PS-së dhe jo grupeve të tjera parlamentare.

“Në cilësinë si kryetare iu drejtuat për opinion Komisionit të Venecias. Të gjitha grupet parlamentare, grupi parlamentar i PS dhe tre grupet parlamentare të opozitës kanë qenë të përfshira në procesin e konsultimit nga Komisioni i Venecias. Draft-opinioni iu është paraqitur ju zyrtarisht zonja kryetare dhe në shkelje flagrante të pozicionit tuaj, si kryetare e Kuvendit dhe që institucion që presupozohet të jetë mbi palët, ju keni bërë me dije dhe keni njohur grupin parlamentar të PS me draft-opinionin ndërkohë që tre grupet parlamentare të opozitës nuk i keni vënë në dispozicion draft-opinionin e Komisionit të Venecias që ne të kemi mundësi përpara diskutimit në seancat plenare, të kemi mundësi për të çuar komentet tona mbi draft opinionin. Ju mund të mos ju ketë pëlqyer draft opinioni ndaj e keni mbajtur të fshehur ndaj deputetëve të opozitës duke ia vënë në dispozicion vetëm grupit të mazhorancës, por e keni detyrim”, tha Bardhi.

Kjo u mohua nga Spiropali, që tha se nuk ka asnjë draft-opinion të Komisionit të Venecias për këtë çështje.

“Nuk ka asnjë dokument zyrtar të Komisionit të Venecias për të ndarë. Sapo të vijë sigurisht që do ndahet sapo rregullave të Komisionit të Venecias jo të Kuvendit të Shqipërisë, janë ata që e përcaktojnë se kur drafti bëhet publik. Nuk ka asnjë draft të Komisionit të Venecias të kësaj çështje. Nesër është seanca sipas rregullave të tyre bëhet publik ku të gjithë deputetët do ta kenë. Ju lutem mos spekuloni mbi këtë, nuk ka asnjë draft për të ndarë sepse ndarja e draftit bëhet sipas rregullave të tyre”, u shpreh Spiropali.

Por debati vijoi, me Bardhin që tha se e ka me email nga Drejtuesi i Komisionit të Venecias, që drafti i është vënë në dispozicion kryeparlamentares.

“Na vini në dispozicion draft-opinionin. Unë e kam me email nga drejtori i komisionit të Venecias që drafti iu është dërguar ju si kryetare e Kuvendit dhe na ka udhëzuar që ti drejtohemi kryetares së Kuvendit dhe na ka udhëzuar se për shkak që ka edhe opinionet e opozitës t’i drejtohemi kryetares së Kuvendit për të na vënë në dispozicion draft opinion. Është dokument pune. Kemi të drejtë të njihemi me të”, u shpreh Bardhi.

Spiropali tha se Komisioni i Venecias ka rregulla dhe nuk ia ka shpërndarë ajo draftin grupit të PS-së.

“Padiskutim e thashë dhe nuk dua ta përsëris që Komisioni i Venecias ka rregulla si publikohen dhe kur publikohen draftet dhe kur ndahen e me kë ndahen. Meqë ju këmbëngulni në këtë pikë dhe paskeni komunikuar me drejtorin në zyrën e komisionit të Venecias sepse e keni këtë akses mund t’i kërkoni atyre kopje të draftit dhe unë do konsultohem në këtë çast nëse ai draft është publik dhe a mund të shpërndahet në grupet parlamentare të Kuvendit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë kjo sepse Venecia ka rregulla kur drafti bëhet publik. Grupi i PS nuk e ka draftin të shpërndarë nga kryetari i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit nuk ka shpërndarë draft të Komisionit të Venecias. Sapo autorizimi të jetë publik patjetër që do keni edhe ju akses siç keni qenë të përfshirë në opinion dhënie”, tha Spiropali.

Në lidhje me këtë çështje pati një ndërhyrje edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, i cili tha se nuk është njohur deri më tani me draftin.

“Dua të mbështes opinionin e zotit Bardhi, çështja nuk është e Partisë Socialiste, i përket Kuvendit të Shqipërisë. I bashkohem kërkesës, nëse vjen zyrtarisht si draft edhe ne jemi të interesuar të njihemi me të”, tha Peleshi./tvklan.al