Shkolla e Hoteleri-Turizmit në Tiranë do të ofrojë të njëjtat standarde me atë të Hotelerisë së Lozanës në Zvicër. Kryeministri Rama u shpreh se për vendin tonë është një mundësi e artë për arsimin në profilet e industrisë së hotelerive.

“Në shkollën e rilindur të Hoteleri-Turizmit në Tiranë, e cila tanimë është nën ombrellën e EHL, shkollës së famshme të Hotelerisë së Lozanës në Zvicër, e njohur si më e mira në botë për profilet e industrisë hoteliere, e cila tanimë do të përgatisë gjeneratën e re profesionistëve të biznesit të mikpritjes, për Shqipërinë 2030.”

Kryeministri u shpreh se teksa sektori i turizmit po merr gjithnjë e më shumë zhvillim, mbetet me rëndësi edhe nevoja për staf të kualifikuar në këtë sektor.

“Nuk mjafton deti, mali, bukuritë e natyrës apo godinat e bukura të hoteleve, por kur shërbimi është ajo që bën diferencën, ju do të jeni të gjithë të kërkuar në treg si lojtarët e Champions League.”

Sjellja e shkollës së Lozanës në Tiranë, sipas Ambasadores së Zvicrës, Ruth Huber është një hap i rendësishëm për arsimin profesional në Shqipëri.

“Duhet të them se jam shumë krenare që mundëm ta mbështesim këtë për të sjellë shkollën e hotelerisë së Lozanës, një shkollë hotelerie, e njohur në Lozanë të Zvicrës, për të ndihmuar në këtë partneritet.”

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të rinjve të investojnë dijet e tyre në sektorin e turizmit, pasi për shkak të rritjes së kërkesës, njëkohësisht edhe pagat janë rritur ndjeshëm.

Klan News