Mediat greke kanë publikuar momentin e vrasjes së biznesmenit shqiptar, Mario Diamanti. 37-vjeçari, pronar i një karburanti është vrarë pikërisht në biznesin e tij. Siç duket në video, Diamanti ka qenë duke qëndruar në praninë e disa personave teksa pranë tyre u afrua një mjet.
Autori që ka shkrepur armën, një pistoletë me silenciator, ndodhej në sediljen e prapme. Ai ka qëlluar disa herë ndaj 37-vjeçarit. Madje edhe pasi viktima është rrëzuar në tokë autori ka dalë nga xhami për të qëlluar edhe disa herë të tjera. Ndërkohë personat e tjerë vrapojnë për të shpëtuar. Më pas, mjeti largohet me shpejtësi nga pika e karburantit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në lagjen “Nikea” të Athinës. Gazeta “To Vima” publikoi më herët gjatë ditës edhe foton e të ndjerit. Nga të shtënat me armë mbeti i vrarë biznesmeni 37-vjeçar Mario Diamanti si dhe u plagos një tjetër shqiptar, i cili u dërgua në spital.
Sipas të përditshme greke, 37-vjeçari ka qenë person i skeduar edhe më parë nga policia e Athinës. Më 14 Shkurt të vitit 2010, Mario Diamanti u akuzua për vrasjen e një 30-vjeçari shqiptar në atë kohë. 30-vjeçari po kthehej nga një dyqan kur u qëllua për vdekje me armë në mes të rrugës nga një person i paidentifikuar.
Në vendngjarje, 11 vite më parë, policia sekuestroi 2 gëzhoja pistolete. Nga hetimet dhe verifikimet në atë kohë, rezultoi se arma e përdorur ishte e njëjta që mbante edhe biznesmeni i ekzekutuar Mario Diamanti. Mirëpo, ky i fundit u shpall i pafajshëm nga gjykata, pasi pretendoi se pistoleta ishte përdorur nga një person tjetër dhe ai nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit shqiptar në vitin 2010.
Mediat greke kanë raportuar gjithashtu se 37-vjeçari që u ekzekutua të martën (16 Nëntor 2021) ka qenë i arrestuar edhe për trafik kokaine.
Policia greke po heton që vrasja e biznesmenit mund të ketë lidhje pikërisht me konflikte të 37-vjeçarit, edhe pse për momentin nuk ka asnjë provë konkrete. Pjesë e pistave të policisë janë edhe dyshimet për një borxh prej 200 mijë Eurosh që mendohet se viktima u kishte personave të tjerë. Megjithatë, të gjitha pistat janë të gjitha të hapura pasi hetimet janë në fazën fillestare.
Hetuesit grekë do të marrin në pyetje edhe bashkëshorten e 37-vjeçarit të ndjerë, e cila është shtatzënë me binjakë, dhe mesa duket është bashkëaksionere në pronësinë e karburantit ku dhe ndodhi atentati. Policia dyshon që edhe ekzekutuesit të jenë shqiptarë. Makina e tyre tip BMW u gjet e djegur disa minuta pas vrasjes. Ky automjet rezultonte i vjedhur prej muajit Tetor. /tvklan.al