Katastrofa mjedisore në Vlorë po vijon dhe tymi në fushën e mbetjeve ka pushtuar qytetin. Në një prononcim për Klan News, drejtori i Mbrojtjes Civile të Bashkisë Vlorë, Adrian Vreshtazi ka thënë se është bërë e mundur fikja dhe izolimi i plotë i vatrave të zjarrit, por si pasojë e erës, re të mëdha tymi kanë pushtuar qytetin e Vlorës. Vreshtazi ka besim që dita e nesërme do të sjellë një panoramë tjetër në Vlorë.

Më tej, ai ka shtuar se është hapur një fushë e re ku depozitohen mbetjet e përditshme të qytetit, që nuk përbën problematikë sa i takon ndikimit të zjarri. Teksa thotë se dyshohet që pas këtij zjarri qëndron dora e njeriut, Vreshtazi shprehet se ky është një rast i vështirë pasi temperaturat e larta dhe erërat e bëjnë të vështirë fikjen e zjarrit.

Adrian Vreshtazi, drejtor i Mbrojtjes Civile, Bashkia Vlorë: Është dita e tretë, ku të gjitha strukturat e bashkisë, së bashku me ndihmën shumë të madhe të bizneseve që operojnë në Vlorë, po punojmë për të lokalizuar zjarrin dhe për të bërë të mundur fikjen përfundimtare të tij. Në këtë periudhë është bërë fikja dhe izolimi i plotë i vatrave të zjarrit, por kushtet e terrenit bëjnë që tymi, që favorizohet edhe nga era, bën që re të mëdha të tymit kanë shkuar në qytetin e Vlorës. Ne vazhdojmë punën në mënyrë intensive.

Ndoshta orët e vona të pasdites mund të sjellin pushimin e erës, ose lehtësimin e forcës së saj dhe mund të bëjmë një llogaritje dhe parashikim më të saktë. Mendojmë se sot mbyllet pjesa më e madhe, por jemi optimistë që natyrën dhe erën t’i kemi aleatë. Besoj që nesër mund të bëjmë dhe mbylljen e plotë në mënyrë që edhe qyteti dhe banorët të mos ta vuajnë këtë situatë të vështirë.

Është hapur një fushë e re ku depozitohen mbetjet e përditshme të qytetit dhe nuk përbëjnë problematikë sa i takon ndikimit të zjarrit apo që mund të na sjellin probleme. Janë zjarre që vihen nga njerëzit dhe prandaj është përkushtimi maksimal, si nga njerëzit, dhe nga titullarët e bashkisë. Ky është një rast i vështirë, sepse temperaturat e larta dhe erërat e bëjnë të vështirë fikjen e zjarrit.


/tvklan.al