Diabeti është një nga sëmundjet, e cila gjithmonë e më shumë po shtohet në radhët e popullsisë. Ajo ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetës dhe shoqërohet edhe me shumë pasoja në jetën e një individi.
Retinopatia është një gjendje e zakonshme e syve, në pacientët me diabet, e cila mund të rezultojë në humbjen e shikimit.
Një studim i kryer së fundmi tregon se vitamina A mund të përmirësojë shikimin te pacientët me diabet. Sipas hulumtimit ekziston një lidhje midis diabetit, mungesës së vitaminës A dhe humbjes së hershme të shikimit.
Doktor Gennadiy Moiseyev, nga Qendra e Shkencave Shëndetësore të Universitetit Oklahoma u shpreh: Nga studimi ynë rezulton se diabeti shkakton mungesë të vitaminës A në retinë, gjë që rezulton në përkeqësim të shikimit, madje edhe para se të shihen ndryshimet. Ky konstatim çoi në supozimin se ndryshimet e hershme të shikimit tek personat me diabet, mund të jenë shkaktuar nga mungesa e vitaminës A në retinë.
Sipas studimit, mungesa e vitaminës A çon në përkeqësimin e sëmundjes së diabetit dhe kjo ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e shikimit./tvklan.al