Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një postim në rrjetet sociale deklaratave të opozitës greke dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në lidhje me vizitën që do të zhvillojë në Athinë më 12 Maj.
Ai thekson se vizita e tij nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin Europian apo ndonjë narrativë tjetër specifike që zgjon interesin e politikanëve grekë.
Kreu i qeverisë thotë se vizita e tij ka qenë e planifikuar prej kohësh dhe bëhet për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e për të ndarë me ta krenarinë e atdheut dhe vizionin “Shqipëria 2030”.
“Është mjaft befasuese të dëgjosh deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek. Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen se pse disa janë në opozitë, ndërsa disa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli.
Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku jetojnë, por edhe për atdheun e tyre.
Vizita ime e ardhshme në Athinë të dielën, më 12 Maj, nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin Europian apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare. Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuara prej kohësh në disa vende evropiane, përfshirë Athinën, për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë me ta dhe vizionin Shqipëria 2030. Për këto ka të bëjë vizita ime në fqinjin mik, Greqinë. Pjesa tjetër është thjesht zhurmë sfondi”, tha Rama.
Kujtojmë se më herët për vizitën e Ramës në Athinë më 12 Maj ka folur edhe homologu i tij Mitsotakis që tha se “është e panevojshme” (Lexo më shumë). /tvklan.al
It is quite surprising to hear the statements made by the Greek opposition, while I can fully comprehend the perspective conveyed by the Greek Prime Minister. The stark contrast in viewpoints on the same issue sheds light on why some are in opposition while others are entrusted…
— Edi Rama (@ediramaal) May 8, 2024