Hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit i kalojnë Prokurorisë së Posaçme. Burime për Klan News nga SPAK thonë se ka dyshime që autorët të jenë anëtarë të një grupi kriminal.
Policia e Tiranës i fokusoi hetimet tek konfliktet për bastet sportive dhe fajdet. Hetuesit kanë dyshime se 27-vjeçari u ka pasur borxhe disa personave dhe për këtë është konfliktuar disa herë me ta. Ka dyshime se Prendi nuk u ka dhënë paratë e fituar në baste.
Ai u ekzekutua pak pas mesnatës, rreth orës 00:35 minuta më datë 19 Nëntor në zonën e Xhamllikut në kryeqytet.
I riu u qëllua me pistoletë me silenciator në momentin që hipën në makinë pasi doli nga lokali ku po qëndronte nën shoqërine e miqve të tij policë.
Mjeti i autorëve është ndalur paralel me makinën e Prendit. Një prej miqve të tij e ndoqi mjetin e autorëve por pa mundur t’i ndalojë.
Pas kryerjes së ekspertizës, rezultoi se mjeti tip Audi A4 që përdorën autorët ishte vjedhur para një viti tek Liqeni Artificial dhe është denoncuar nga pronari në polici. Identifikimi është bërë pas rikuperimit të numrit të shasisë ndërsa autorët i kishin vendosur targa greke.
Klan News