Pas hapjes dyshohet për një valë të dytë epidemie

Në Wuhan është rikthyer frika e një vale të dytë pandemie. Në vend autoritetet do të kryejnë brenda 10 ditësh teste tek të gjithe personat që dyshohen se janë mbartës të virusit.

Sipas autoriteteve shëndetësore, ky njoftim vjen për të parandaluar një valë tjetër dhe për ta vendosur nën kontroll situatën. Një ditë më parë 17 infektime të reja u raportuan në vendin ku lindi sëmundja e për të cilin u duk se lufta ndaj Covid-19 u fitua.

Gjatë fundjavës u raportuan vatra të reja në qytetin Shulan të provincës Jilin. Në këto provinca është dërguar dhe një ekip zyrtarësh dhe mjekësh nga Pekini për të analizuar rastet. Sipas zyrtarëve, të gjitha rastet janë të importuara nga vendet e tjera.

Në Mars autoritetet hapën Wuhanin dhe njerëzit iu rikthyen normalitetit. Aktualisht banorët mund të ecin në qytet, të marrin autobusë ose metro, të shkojnë në punë apo edhe të dalin jashtë qytetit pasi të jenë testuar se nuk janë mbartës të virusit.

Kryesisht atyre u matet temperatura dhe nëse nuk rezultojnë të infektuar, ata pajisen me certifikatën shëndetësore. Deri më tani në Kinë janë shënuar 4,663 viktima dhe janë regjistruar 82,919 të infektuar.

Ndërkaq, ekspertët kanë deklaruar se Kina nuk po tregon vërtetë se çfarë po ndodh në ato qytete ku deri para dy muajsh ishin vatrat kryesore të shpërthimit të pandemisë.

SHBA por edhe vendet e tjera vijojnë të drejtojnë akuza ndaj Kinës se ajo ka fshehur të vërtetën e përhapjes së virusit dhe mënyrën se si u krijua, duke i kushtuar jetën mbi 287 mijë personave në të gjithë botën.

Klan Plus