Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të 30 Gushtit në Shkodër, ku mbeti i vrarë Elis Rroshkodoli në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”. Uniformat blu bëjnë me dije se për krimin është arrestuar një person i implikuar në këtë rast, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 bashkëautorë të vrasjes së 36-vjeçarit, të cilët janë identifikuar nga Policia.
Konkretisht në pranga ka rënë 26-vjeçari Xhulio Mao për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim.
Sjellim në vëmendje se Xhulio Malo ka qenë i akuzuar si bashkëpunëtor në sulmin ndaj policisë në Lazarat në vitin 2015 (asokohet 17 vjeç). – LEXO MË SHUMË
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, 31-vjeçari me iniciale J. Xh., 38-vjeçari me iniciale V. Xh. dhe 42-vjeçari me iniciale D. M. Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e Elis Rroshkodolit.
Në vijim të operacionit u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë një garazh, ku 4 bashkëpunëtorët mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së 36-vjeçarit. Policia vijon kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.
Kujtojmë se viktima, Elis Rroshkodoli, mori 14 plumba në trup, nga 18 që u gjetën në vendin e ngjarjes. Autori ka qenë i maskuar dhe ka qëlluar me plumba në drejtim të Rroshkodolit. Pas vrasjes, autori është larguar nga aty me një makinë, itinerari i të cilës është ndjekur nëpërmjet kamerave të sigurisë nga hetuesit.
Rroshkodoli është emër i njohur për autoritetet, pasi është me precedentë penal në fushën e vjedhjeve dhe krimeve kundër jetës. Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu. Më pas, në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas.
Në vitin 2023, është autor i dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima.
Njoftimi i Policisë
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.
Operacioni, rezultat i punës intensive dhe profesionale hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës.
Zbardhet vrasja e shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i implikuar në këtë rast. Punohet intensivisht për kapjen e 3 bashkautorëve të kësaj vrasjeje, të cilët janë identifikuar tashmë nga Policia.
Zbulohet një garazh në territorin e bashkisë Tiranë, që iu shërbente 4 shtetasve, si bazë kriminale për të fshehur automjete të trafikuara, të cilat do të përdoreshin gjatë kryerjes së krimeve.
Sekuestrohen 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, u finalizua operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).
Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).
Vijojnë intensivisht kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al